Infeksioni Bakterial Helicobacter Pylori: Simptomat, Diagnostikimi dhe Trajtimi

0
2156
Infeksioni Bakterial Helicobacter Pylori
Infeksioni bakterial Helicobacter Pylori

Helicobacter pylori, i njohur edhe si H. pylori, është një bakter që zakonisht gjendet në stomak. Ai është i pranishëm në përafërsisht gjysmën e popullsisë së botës.

Shumica dërrmuese e njerëzve të infektuar me H. pylori nuk kanë simptoma dhe kurrë nuk do të shfaqin probleme. Megjithatë, H. pylori është i aftë të shkaktoj një sërë problemesh të tretjes, duke përfshirë ulcerat, dhe shumë më rrallë, kancerin e stomakut. Nuk është e qartë pse disa njerëz të infektuar me H. pylori marrin këtë sëmundje dhe të tjerët jo.

Ky artikull diskuton mbi simptomat, testimin dhe trajtimin e infeksioneve me Helicobacter pylori.

HELICOBACTER PYLORI – FAKTORËT E RREZIKUT

H. pylori është përhapur ndoshta nga konsumimi i ushqimit ose i ujit të kontaminuar me materie fekale. Ky infeksion shkakton ndryshime në stomak dhe duodenum (pjesa e parë e zorrëve të vogla). Bakteret infektojnë indin mbrojtës që lidhë stomakun dhe kjo çon në çlirimin e enzimave dhe toksinave të caktuara dhe aktivizimin e sistemit imunitar. Së bashku, këta faktorë mund të dëmtojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi qelizat e stomakut ose duodenumit. Kjo shkakton inflamacion kronik në muret e stomakut (gastritis) ose duodenit (duodenitis).

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, stomaku dhe duodenumi janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimit të lëngjeve të tretjes, siç është acidi i stomakut.
Në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të zhvilluara, infeksioni me H. pylori është i pazakontë gjatë fëmijërisë, por bëhet më i zakonshëm gjatë moshës madhore. Megjithatë, në vendet në zhvillim, shumica e fëmijëve janë të infektuar me H. pylori para moshës 10 vjeçare.

H. PYLORI – SIMPTOMAT

Shumica e individëve me gastrit kronik ose duodenit kronik nuk kanë simptoma. Megjithatë, disa njerëz shfaqin probleme më serioze, duke përfshirë ulcerë në stomak ose ulcerë duodenale.

Ulcerat mund të shkaktojnë një shumëllojshmëri simptomash ose asnjë simptome.

Simptomat më të shpeshta të H. Pylori përfshijnë:

  • Dhimbje ose siklet (zakonisht në abdomenin e sipërm)
  • Dredhje
  • Fryrje, (pas ngrënies së një sasie të vogël të ushqimit)
  • Mungesë oreksit
  • Përzierje ose të vjella
  • Jashtëqitje me ngjyrë të errët, dhe
  • Lodhje

Në raste të rralla, Gastriti kronik shkakton ndryshime jonormale të stomakut, gjë që mund të çojë në forma të caktuara të kancerit. Është e pazakontë të zhvillohet kanceri si pasojë e infeksionit H. pylori. Megjithatë, për shkak se shumë njerëz në botë janë të infektuar me H. pylori, ai konsiderohet të jetë një shkak i rëndësishëm i kancerit të stomakut. Njerëzit që jetojnë në vende në të cilat infeksioni H. pylori ndodh në një moshë të re, janë në rrezik më të madh të kancerit të stomakut.

HELICOBACTER PYLORI – DIAGNOSTIFIKIMI

Ka disa mënyra për të diagnostikuar H. Pylori. Testet më të përdorura zakonisht përfshijnë:

  • Testet e frymëmarrjes
  • Testet e jashtëqitjes, dhe
  • Testet e gjakut.

TRAJTIMI I INFEKSIONIT ME HELICOBACER PYLORI

Njerëzit me një histori të sëmundjes së ulcerës peptike, ulcerës aktive gastrike ose ulcerës aktive duodenale që shoqërohet me infeksionin H. pylori duhet të trajtohen. 

Trajtimi i suksesshëm i H. pylori mund të ndihmoj për të:

  • shëruar ulcerën,
  • parandaluar kthimin e ulcerës, –
  • të zvogëluar rrezikun e komplikimeve të ulcerës (si gjakderdhja).

Medikamentet

Asnjë medikament (ilaç) si i vetëm nuk shëron infeksionin H. pylori. Shumica e regjimeve të trajtimit përfshijnë marrjen e disa medikamenteve (ilaçeve) për 14 ditë.

Shumica e regjimeve të trajtimit përfshijnë një medikament të ashtuquajtur frenues i pompës proton. Ky medikament zvogëlon prodhimin e acidit të stomakut, i cili lejon të shërohen indet e dëmtuara nga infeksioni.

Medikamente (ilaçe) të njohura si frenues të pompës proton përfshijnë:

  • Lansoprazol,
  • Omeprazol,
  • Pantoprazol,
  • Rabeprazol,
  • Dexlansoprazol dhe,
  • Esomeprazol.

Në përgjithësi rekomandohen dy antibiotikë; kjo zvogëlon rrezikun e dështimit të trajtimit dhe rezistencës ndaj antibiotikëve.

Numri i pacientëve me infeksion H. pylori që janë rezistues ndaj antibiotikëve është në rritje, prandaj është e rëndësishme që të merren të gjitha medikamentet (ilaçet) e përshkruara dhe të keni një test që konfirmon se infeksioni është eliminuar.

Që të jetë efektiv trajtimi i infeksionit me Helicobacter Pylori (H. pylori), është e rëndësishme që pacientët të marrin të gjitha medikamentet (ilaçet) për kohën e caktuar nga mjeku.

Sherohu.com është website qëllimi i së cilës është që të shpërndajmë tek shqipfolësit informacione rreth një jete më të mirë dhe më të shëndetshme. Artikujt në këtë faqe nuk duhen të merren si këshill përfundimtare, këshilloheni që gjithmonë të konsultoheni me mjekun tuaj para se të veproni. Ju urojmë shëndet dhe çdo të mirë.

Pyet dhe Komento këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.