Morthi – Ja si Parandalohet dhe Shërohet

0
2210

MorthiDitët e ftohta të dimrit rishfaqin problemet me morthin. Ulja e temperaturave dhe rritja e nivelit të lagështirës në ajër, ndikojnë në rishfaqjen e dhimbjeve dhe ënjtjeve, kryesisht të duarve.

ÇFARË DUHET TE KONSUMOJMË DHE SI TA TRAJTOJMË MORTHIN

Ku shfaqet morthi?

Gjatë ditëve të ftohta dhe me lagështirë, sidomos pas ndryshimeve të menjëhershme të temperaturave, rishfaqen problemet me pernione, ose siç njihet në gjuhën e popullit morthi. Personat e prekur nga kjo sëmundje, zakonisht vuajnë nga probleme me qarkullimin e gjakut në esktremitetet: Në duar dhe në këmbë. I ftohti me lagështirë bën që gjaku të tentojë të “tërhiqet” më tepër në organet e brendshme, për të ruajtur shëndetin e tyre dhe në këtë mënyrë, lëkura është më e ekspozuar ndaj të ftohtit dhe lagështirës, gjë që ndikon në shfaqjen e morthit.

Mënyrat e shfaqjes

Shenjat tipike janë enjtje e duarve dhe këmbëve, krijimi i njollave me ngjyrë të kuqërremë në të kaltër-zezë, dhe janë të ftohta në prekje dhe të ënjtura. Në momentin që pacienti hyn në kontakt me një ambient të ngrohtë, shfaqet pruriti (kruarie) dhe dhimbjet e vendeve ku lokalizohet morthi. Zakonisht lokalizohet në pjesë të trupit që qëndrojnë për një kohë të gjatë të ekspozuara ndaj të ftohtit dhe janë të ndjeshme si: gishtërinjtë e duarve, këmbëve, por edhe në veshë e majën e hundës.

Si trajtohet Morthi?

Zakonisht përdoren kremra me bazë kortizoni me përdorim lokal, në rastet kur ka vetëm inflamacion dhe vitaminoterapi. Nëse shihet se shfaqen dhe lezione, duhet që kortikoidët të alternohen me pomada me bazë antibiotiku. Gjithsesi trajtimi varet nga mjeku specialist, i cili përzgjedh skemën dhe trajtimin e duhur. Trajtimi më i mirë është parandalimi i saj.

Si Parandalohet Morthi?

Morthi është më i lehtë të parandalohet sesa të trajtohet: Për këtë duhet të ndiqen disa këshilla të thjeshta në jetën e përditshme. E para sigurisht lidhet me mënyrën e veshjes: pjesët më të ndjeshme duhet të mbulohen për të qenë të mbrojtura nga i ftohti dhe nga lagështia. Duhet të vishen dorashka të ngrohta ose me material leshi, të mos mbahen këpucë të shtrënguara dhe të lagura, etj. Së dyti, rekomandohet kryerja e ushtrimeve fizike që ndikon në tonifikimin e enëve të gjakut. Aktiviteti fizik ndikon në gjithë aparatin kardiovaskular, duke përmirësuar funksionimin e enëve të vogla të gjakut, të cilat në këtë mënyrë bëhen më elastikë dhe nuk kanë tendencë të tkurren nën efektin e të ftohtit.

Rekomandimet për ushqim

Duhet të konsumoni ushqime të pasura me vitamina. Mjaft i mirë është beta karoteni, që ndihmon lëkurën të ruajë elasticitetin dhe tonifikimin. Vitamina E, ndikon në trajtimin e skuqjeve dhe vitamina C ndikojnë në ruajtjen e elasticitetit në muret e enëve të gjakut. Po ashtu këshillohet që personat që kanë shfaqur më parë këtë problem, që para se të nisë periudha e ftohtë të bëjnë disa ushtrime në darkë: të fusin duart në ujë të ngrohtë, pastaj në të ftohtë disa herë, sepse kjo ndikon në elasticitetin e mureve të enëve të gjakut. Masazhimi i duarve dhe vendeve ku është shfaqur morthi, ndihmon për të riaktivizuar qarkullimin. Nuk rekomandohet vendosja e borsave me ujë të nxehtë, sepse kontakti i menjëhershëm me një objekt me temperaturë të lartë mund të përkeqësojë situatën dhe të shtojë dhimbjen.

Hyrida Basha është Msc. Biologe Molekulare, ajo gjithashtu është një dietologe dhe shkruan per dietat ne shtatzani, dieta per adoleshentë, dieta për uljen e nivelit të LDLs, (kolesterinës së keqe), si dhe dieta per dobesim. Facebook

Pyet dhe Komento këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.